Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 27-vjetorin e masakrës së Lybeniqit, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më tragjike për këtë zonë dhe gjithë Kosovën.
Haradinaj thotë se Lybeniqi u masakrua më 25 maj 1998, ndërsa java e parë e prillit 1999 ishte kobshme për fshatin dhe zonën përreth, ku forcat serbe ekzekutuan mbi njëqind civilë shqiptarë të paarmatosur nga Lybeniqi, Buçani, Rashiqi, Loxha, Kosuriqi dhe Prilepi, njofton Dukagjini.
Në këtë përvjetor, ai kujtoi edhe martirizimin e dhjetëra civilëve në Gjakovë, përfshirë familjen e Januz Canës, si dhe viktimat në familjen Vejsa dhe në pjesë të tjera të qytetit.
“Lybeniqi u masakrua më 25 maj 1998, ndërsa java e parë e prillit 1999 ishte kobshme për këtë fshat dhe zonën përreth. Shteti serb ekzekutoi mbi njëqind shqiptarë të paarmatosur nga Lybeniqi, Buçani, Rashiqi, Loxha, Kosuriqi dhe Prilepi. Sot ndamë dhimbjen me familjarët, si dhe zbuluam pllakën përkujtimore në shtëpinë e Ahmet Ukshinaj, të cilit pata nderin t’i ndaj dekoratën “Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet” për angazhimin në çështjen kombëtare. Në vitet 90-ta kulla e tij ka qenë një prej bazave më të sigurta dhe më të rëndësishme të UÇK-së, çerdhe e shumë luftëtarëve të orëve të para”, ka shkruar Haradinaj.
“Me përulje kujtojmë edhe martirizimin e dhjetëra vëllezërve e motrave tona në Gjakovë, familjen e Januz Canës që u shua pa pasardhës, si dhe të rënët në shtëpinë e familjes Vejsa dhe në pjesë të tjera të qytetit. Asnjëherë nuk do t’i harrojmë njerëzit tanë, që me jetët e tyre u bënë mburojë e kësaj toke. Sot e për mot, përulemi me respekt para sakrificës së të rënëve për liri”, ka shkruar, mes tjerash, Haradinaj.