Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka njoftuar se ka filluar verifikimi në terren i ankesave të para të konsumatorëve lidhur me njehsorët elektrikë.
Sipas njoftimit, komisioni i posaçëm i themeluar nga ministria, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Tregut, ka dalë sot në terren për të shqyrtuar rastet e raportuara.
Njehsorët për të cilët është vërejtur mospërputhje e kohës janë tërhequr nga funksioni dhe janë dërguar për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.
Rezultatet e verifikimit për njehsorët e parë pritet të publikohen së shpejti, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se opinioni do të informohet me kohë për gjetjet.
“Njehsorët, që janë vërejtur se kanë mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës. Rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të MINTI-t u ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqesin ankesat e tyre përmes adresës elektronike [email protected], duke bashkëngjitur numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet sa më shpejt.