Sot shënohen 27 vjet nga masakra në fshatin Lybeniq, i mbijetuari Amrush Ukshinaj, në intervistë për emisionin FIVE ka rrëfyer momentet e para të hyrjes së forcave paramilitare serbe në fshat, duke thënë se fillimisht ata u prezantuan si ushtri e rregullt.
Ai ka deklaruar se më 1 prill 1999 janë vrarë 54 persona, ndërsa disa të tjerë kanë arritur të mbijetojnë.
“U përgatit mirë nga forcat serbe për arsyetimin se erdhën në 7 të mëngjesit në Lybeniq u prezantuan se janë ushtri e rregullt forcat e armatosura të Jugosllavisë, në ndër ta Milladin Toplica ka qenë taman ushtarak, i takon disa bashkëfshatar, u thotë ne jemi ushtri i rregullt duhet me lëshu fshatin. Edhe vepruam sipas urdhrave tyre, kur u bëjke ndarja aty unë po i shoh disa njerëz nuk e kanë figurën e ushtarakut, thashë çfarë u bë me ne. Kur e pashë një me nofkën Mërtfi, nuk e njoha por kur e pashë figurën e tij që nuk përngjake me ushtarak. Unë me nënën e kisha plak, edhe e mora për krahu dhe kalova te poshtë kur po vijë po shohë tekat, blindat, edhe e kuptova që nuk është puna e mirë”, ka rrëfyer ai.
“Me 1 pill u vranë 54, 11 janë të mbijetuar, një ndër të mbijetuarit e kanë zënë policia prapë, dhe e kanë dërguar në spital dhe e kanë mbytur në Spital të Pejës. Kur e kem gjetur, me dokumente me krejt kanë manipuluar, kur e kemi gjetur ne pasi jemi kthyer pas lufte në varreza të Pejës e kemi gjetur të trajtuar keq këtë dëshmitar. Pse? Unë kam punuar taksist kam bajtur kufoma prej Beogradi gjithkah, e shtishin në këse edhe ia qitshin numrin këtë e kanë dërguar me viktima të Lybeniqit, kanë manipuluar mjekët aty, shteti jonë nuk merret me atë punë. Ajo ka ndodhur më 1 prill nuk është marrë askush me të me dokumentet që i kam nuk po duan”, ka rrëfyer tutje Ukshinaj në emisionin FIVE.
Ukshinaj ka theksuar se në ditët në vijim, situata në Lybeniq nuk ka përfunduar me kaq.
Ai ka treguar se si më 7 prill janë vrarë edhe 10 persona të tjerë, shumica të sëmurë dhe një grua shtatzënë.
“Kanë ardhur me helikopter dhe kanë hyrë në bjeshkë. Aty i kanë gjetur njerëzit e pambrojtur nuk kanë mundur të ikin edhe i kanë zënë në mal dhe i kanë ekzekutuar”, ka deklaruar ai.