Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke shmangur, sipas tij, përgjegjësinë për zgjedhjen e presidentit.
Në Debat Plus, Tahiri tha se Kurti ka pasur mundësi të mjaftueshme për ta zgjedhur presidentin, por nuk e ka bërë një gjë të tillë.
“Duhet me tregu Albin Kurti pse po e çon vendin në zgjedhje, pse nuk e bëri presidentin më 17 shkurt, pse nuk e bëri Vjosa Osmanin presidente. Ka mundur ta zgjedhë me LDK-në, me AAK-në, ka pasur mjaftueshëm, por nuk e ka bërë”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri e ka cilësuar procesin si “telenovelë politike”, duke shtuar se kryeministri po i shmanget përgjegjësisë për të qeverisur.
“Pse po bën telenovela, pse nuk po qeverisë, po i ik përgjegjësisë – këto janë pyetje për të”, u shpreh ai.
Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Tahiri tha se qytetarët do ta ndëshkojnë Kurtin me votë dhe kjo sipas tij, do të jetë i dukshëm.
“Ne besojmë që qytetari do ta ndëshkojë me votë Albin Kurtin, edhe do t’i votojë partitë tjera, sepse për 21 ditë po i shmanget përgjegjësisë që ia kanë dhënë qytetarët”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, qytetarët po e vërejnë këtë qasje dhe do të reagojnë nëse vendi shkon në zgjedhje, duke e ndëshkuar pushtetin aktual për, siç tha, mungesë qeverisjeje dhe fokus në tema të tjera.