Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimet e derivateve, bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa të targetuara për të kontrolluar marzhat e fitimit dhe për të parandaluar spekulimet.
Ajo theksoi se vendimi i datës 4 mars ishte i pari në rajon për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe nuk ka qenë një ndërhyrje e pakontrolluar.
Kusari-Lila në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet përmendi edhe procesin zgjedhor duke theksuar se është parë se kush ka gabuar.
“Është e rëndësishme të diskutojmë, është e rëndësishme të kemi trajtim të mirëfilltë profesional të shifrave, por gjithashtu është e rëndësishme që përvojat e deritashme, qoftë në raport me politikën fiskale, me rishpërndarjen e buxhetit e gjithashtu edhe me ndikimin që e kanë në jetën e qytetarëve t’i kemi parasysh kur kërkojmë diçka të ditës së sotme.
Mjaftueshëm është bërë edhe përvojë, mjaftueshëm janë marrë edhe masa, edhe kemi parë efekte, përfshirë edhe ato demokratike apo procese zgjedhore për të parë se kush e ka pasur më të drejtë e kush e ka pasur gabim.
Tani po e diskutojmë çështjen e derivateve dhe shumë këtu u fol në raport me mungesë inspektimesh, në raport me mungesë të informatave. Unë besoj që ju e dini që informatat janë të përditësuara në baza ditore, do të thotë qoftë edhe në sasitë e importit të naftës, edhe në masat të cilat i ka marrë qeveria, por gjithashtu edhe në shkeljet eventuale që janë bërë në raport me masën“, tha ajo.
Kusari-Lila shtoi se gjatë periudhës së zbatimit të masave janë realizuar 200 inspektime në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës.
Gjatë këtyre inspektimeve janë konstatuar katër shkelje për moszbatimin e marzhës së fitimit, për të cilat janë shqiptuar dënime sipas ligjit. Ministrja paralajmëroi se masa e dytë, në rast të shkeljeve të përsëritura, mund të përfshijë tërheqjen e licencës për operim.
“Tani më lejoni ta bëj një digresion të vogël dhe t’ju tregoj se pas vendimit që kemi marrë me 4 mars, i cili skadon me 4 prill, në raport me vendosjen e marzhës së fitimit për bizneset qofshin ato me shumicë apo edhe ato me pakicë, çfarë ka ndodhur në raport me veprimet tona dhe përcjelljen e situatës. Do të thotë, vendimi i datës 4 mars është vendimi i parë në fakt nga vendet e rajonit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve e cila nuk ka qenë një ndërhyrje e pakontrolluar, por ka qenë një masë e targetuar për të kufizuar marzhat e pajustifikuara që zakonisht ndodhin në situata të tilla edhe ku ka spekulime të mëdha, do të thotë si masa e parë për të parandaluar spekulimet me çmimet. Gjatë këtyre javëve, janë realizuar 200 inspektime në bashkëpunim të ngushtë të institucioneve, jo vetëm Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, por Administrata Tatimore e Kosovës dhe Autoriteti i Konkurrencës. Nga të dhënat e siguruara gjatë gjithë kësaj periudhe kohore ka pasur katër shkelje të cilat subjektet ekonomike, operatorët për shitjen e derivateve i kanë bërë në raport me moszbatimin e marzhës më të lartë. Të katërta janë shqiptuar dënimet konform ligjit në fuqi dhe gjithashtu janë përcjellë pastaj me vizita të tjera respektivisht në përcjellje të situatës në raport me çmimet se masa e dytë pas masës së parë ka të bëjë me tërheqje të licencës për operim tërësisht.
Sa i përket vlerës apo sasisë së importuar të derivateve të naftës në raport me vitin e kaluar po, ka rënie. Në raport me muajt janar, shkurt dhe mars ka një stabilitet, një mesatare e cila ende nuk mund të kategorizohet si krizë. Çka do të thotë se përderisa ka pas rritje të çmimit nuk ka pasur rënie të ndjeshme të furnizimit dhe është element bazë se në rast të kërkesës dhe ofertës ende kërkesa është pak a shumë në vijat e kufirit të përballueshëm në të cilin nuk mund të thuhet se ka krizë situatën e furnizimit“, u shpreh ajo.