Policia ka bërë të ditur se njësitë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, Drejtoria kundër Krimit te Organizuar dhe ajo e Krimeve të Rënda, gjatë zbatimit të planit taktik këtë të premte në Gjakovë kanë ndaluar për kontroll veturën me targa të huaja, të drejtuar nga personi tanimë i dyshuar A.B., (1978).
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit të automjetit, në pjesën tek ulëset e pasme janë gjetur dhe sekuestruar 10 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit mariuhanë në peshë të përgjithshme prej 5 kg e 413 gram, njofton Dukagjini.
Po ashtu në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një automjet, si dhe dy telefona mobil që i përkisnin të dyshuarit.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar për intervistë, ndërsa me vendim të prokurorit i caktohet masa e ndalimit për 48 orë.