Në kohën kur lufta mes SHBA-së dhe Izraelit me Iranin po vazhdon, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se do t’i kërkojë Kongresit amerikan të miratojë një buxhet mbrojtjeje prej 1.5 trilionë dollarësh për vitin fiskal 2027 – një rritje rekord prej 42% krahasuar me vitin paraprak.
Nëse miratohet nga Kongresi, ky buxhet do të ishte më i madhi në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Megjithatë, vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të rritur shpenzimet ushtarake paraprin fillimin e konfliktit aktual me Iranin dhe pasqyron fokusin e administratës së tij në prodhimin vendor dhe projektet madhore.
Kjo përfshin financimin e sistemit të propozuar të mbrojtjes raketore “Golden Dome”, i cili synon të mbrojë SHBA-në nga kërcënimet ajrore të gjeneratës së re.
Një përmbledhje e buxhetit, e shpërndarë nga Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit, thekson se kërkesa përfshin financimin e dhjetëra anijeve ushtarake, përfshirë një seri të re anijesh luftarake të Marinës amerikane të klasës “Trump”, të armatosura rëndë, të cilat presidenti i SHBA-së i prezantoi në dhjetor.
Kjo kërkesë është e ndarë nga ajo e bërë në mars, e cila lidhej drejtpërdrejt me luftën në Iran, ku Pentagoni propozoi 200 miliardë dollarë për të mbështetur operacionin në vazhdim “Epic Fury” dhe për të rimbushur municionet dhe furnizimet.