Një person është arrestuar nën dyshimin për krime lufte në Komunën e Kaçanikut, në një aksion të realizuar nga hetuesit policorë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari me inicialet A.D. u ndalua me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”, njofton Dukagjini.
Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në krime të kryera gjatë luftës në fshatin Ivajë dhe zonat përreth në Komunën e Kaçanikut.
Prokuroria, mes tjerash, bën të ditur se gjatë kontrollit të realizuar në kuadër të këtij operacioni, autoritetet kanë sekuestruar një armë zjarri, dy karikatorë, 30 fishekë, një armë gjuetie ajrore, si dhe një uniformë të MUP-it.