Agjencia iraniane e lajmeve Fars, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit 15 anije kanë kaluar në Ngushticën e Hormuzit “me leje nga Irani”.
Sipas raportimit, trafiku detar mbetet rreth 90% më i ulët krahasuar me periudhën para fillimit të luftës.
Zyrtarët iranianë, përfshirë ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, kanë deklaruar vazhdimisht se ngushtica nuk është e mbyllur plotësisht, por është e kufizuar vetëm për “vendet armike”.
Ndërkohë, Irani ka bërë të ditur se disa shtete, si Iraku, janë përjashtuar nga kufizimet. Po ashtu, zyrtarë dhe ligjvënës iranianë kanë ngritur mundësinë e vendosjes së tarifave për anijet që kalojnë në këtë rrugë strategjike.
Një këshilltar në zyrën e presidentit iranian ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit “do të rihapet plotësisht” vetëm kur një pjesë e tarifave të tranzitit të përdoret për të kompensuar dëmet e shkaktuara nga lufta.
Ngushtica e Hormuzit, e vendosur mes Iranit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit, është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit.