Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Obiliq, Prishtinë dhe Pejë, ku në disa prej tyre ka pasur të lënduar.
Në Obiliq, më 5 prill rreth orës 08:50, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Të dy kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe në Prishtinë. Në një incident të ndodhur në orët e para të mëngjesit (02:30), një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Të dy janë shoqëruar në polici dhe kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Në një tjetër rast në Prishtinë (23:15), një grua ka raportuar se është sulmuar nga i dashuri i saj. Ajo është intervistuar nga policia, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Po ashtu, po në Prishtinë (23:10), pas një aksidenti në garazhin e një banese, një çift bashkëshortor dyshohet se kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin. Të dy kanë pranuar trajtim mjekësor dhe, pas intervistimit, janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në Pejë janë raportuar dy raste. Në njërin prej tyre (08:20), një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe ka kanosur babanë e tij. I dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor.
Në rastin tjetër (12:50), një burrë dhe një grua, bashkëshortë, janë përleshur mes vete pas një mosmarrëveshjeje. Gruaja ka pësuar lëndime dhe ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Policia po vazhdon hetimet lidhur me këto raste.