Paralajmëron Kuçi: Lufta hibride e boshtit pro-rus po dikton proceset zgjedhore në Evropën Juglindore

Zgjedhjet në Evropën Juglindore po marrin gjithnjë e më shumë karakter gjeopolitik, duke tejkaluar dimensionin tradicional demokratik. Kështu sipas hulumtuesit të Institutit “Octopus”, Gurakuç Kuçi, zhvillimet e fundit tregojnë për një ndërhyrje të koordinuar dhe një përpjekje për të ruajtur ndikimin e boshtit Moskë–Budapest–Beograd në rajon.

Në analizën e tij, Kuçi thekson se një seri ngjarjesh të ndodhura brenda një periudhe të shkurtër kohore sugjerojnë një aktivitet të shtuar të aktorëve pro-rusë, me qëllim ndikimin në proceset zgjedhore dhe krijimin e një realiteti politik të favorshëm për interesat e tyre.

“Zgjedhjet elektorale tashmë janë kthyer në një fakt gjeopolitik dhe jo vetëm demokratik, sidomos në Evropën Juglindore. Kjo është reflektuar në një seri ndërhyrjesh në procese zgjedhore nga Rusia dhe Serbia. Për disa raste kjo është dokumentuar, ndërsa në të tjera kanë mbetur tentativa për të ndikuar në krijimin e një realiteti politik sipas interesave të tyre. Kjo është parë në Moldavi, Gjeorgji, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Kosovë, ndërsa tani, bashkë me Hungarinë, shfaqen elemente që sugjerojnë ndikim edhe në zgjedhjet e 12 prillit”, ka shkruar Kuçi.

Sipas tij, raportimet për një skenar të mundshëm atentati “false flag” ndaj kryeministrit hungarez Viktor Orban, manipulimet e raportuara në zgjedhjet lokale në Serbi nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiq, si dhe telefonata e këtij të fundit me presidentin rus Vladimir Putin, përbëjnë elemente që tregojnë për një koordinim më të gjerë politik dhe strategjik.

Në këtë kontekst, Kuçi përmend edhe incidentin e raportuar më 5 prill pranë gazsjellësit TurkStream në veri të Serbisë, ku u gjet eksploziv. Ngjarja u trajtua menjëherë si kërcënim sigurie nga autoritetet serbe dhe hungareze, ndërsa opozita në Hungari e cilësoi si një operacion të mundshëm “false flag”.

“Kjo seri ngjarjesh është si më poshtë:

– Me 21 mars, Washington Post raportoi se inteligjenca ruse SVR kishte përgatitur një skenar atentati “false flag” ndaj Orbanit. Në kontekst zgjedhor, kjo përputhet me modele të njohura të krijimit të një kërcënimi të jashtëm dhe mobilizimit të brendshëm politik.

– Me 29 mars u mbajtën zgjedhjet lokale në dhjetë komuna në Serbi, ku raportet tregojnë për zgjedhje të manipuluara nga partia në pushtet dhe Presidenti serb Aleksander Vuçiq.

– Me 30 mars, Vuçiq zhvilloi një telefonatë me Vladimir Putin për bashkëpunimin në energji, gaz dhe sektorin nuklear. Sipas mediave, janë diskutuar edhe Kosova, Rezoluta 1244, Bosnja dhe Hercegovina dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, si dhe marrëveshja ushtarake Kroaci–Shqipëri–Kosovë.

– Në të njëjtën periudhë, presidenti kroat Zoran Milanoviq anuloi takimin e Brdo-Brijonit, duke sinjalizuar refuzim për t’u bërë pjesë e këtyre zhvillimeve.

– Me 5 prill, një javë para zgjedhjeve në Hungari, në veri të Serbisë u raportua se është gjetur eksploziv pranë gazsjellësit TurkStream. Lajmi u trajtua menjëherë si kërcënim sigurie nga Vuçiq, ndërsa edhe Viktor Orban reagoi duke thirrur Këshillin e Sigurisë.
Opozita në Hungari e cilësoi incidentin si një “false flag”, por Ministri i jashtëm hungarez, Peter Szijjártó, e akuzon drejtpërdrejt Ukrainën përmes deklaratës: “Në ditët dhe javët e fundit, ukrainasit organizuan një bllokadë nafte kundër nesh dhe më pas u përpoqën të na vendosin nën një bllokadë totale energjetike… dhe tani kemi incidentin e sotëm”.
Ukraina, përmes Ministrisë së Jashtme, mohon çdo përfshirje në këtë rast, duke shtuar se: “(Ka shumë të ngjarë që të ketë qenë) një operacion ‘false flag’ rus, si pjesë e ndërhyrjes së rëndë të Moskës në zgjedhjet hungareze”.

– Të gjitha këto zhvillime po ndodhin në prag të zgjedhjeve të 12 prillit në Hungari.

Ndërkohë, tensionet u rritën edhe më tej pas akuzave të ministrit të Jashtëm hungarez ndaj Ukrainës, të cilat u hodhën poshtë nga Kievi, duke i konsideruar si pjesë e një operacioni rus për të ndikuar në zgjedhjet hungareze”, ka shkruar Kuçi.

Në përfundim, Kuçi thekson se përdorimi i mjeteve të luftës hibride – si propaganda, përçarja, kapja institucionale dhe krijimi i paqëndrueshmërisë – po intensifikohet në rajon.

“Të gjitha këto ngjarje sugjerojnë se çështja e ruajtjes së boshtit Moskë–Budapest–Beograd është një projekt gjeopolitik që vazhdon të ekzistojë edhe përmes ruajtjes së të njëjtëve aktorë politikë. Në forma të tjera, ky bosht do të ishte jo-ekzistues, dhe pikërisht kjo qasje i ka shndërruar zgjedhjet në një çështje jo vetëm elektorale, por edhe gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Presidenti Milanoviq tashmë e ka kuptuar qartë këtë lojë dhe, me anulimin e Brdo-Brijonit, ka treguar publikisht, edhe ndaj Perëndimit, se nuk do të lejojë asnjë formë të “politikës së paqëtimit” apo “stabiliokracisë” ndaj boshteve që presin ndryshime të rrethanave gjeopolitike për ekspansion në Ballkanin Perëndimor.

Paqëndrueshmëria, kapja institucionale, përçarja dhe propaganda janë disa nga elementet më të fuqishme të luftës hibride. Zbatimi i këtyre elementeve në një periudhë kaq të shkurtër tregon për një aktivitet të ashpër të boshtit pro-rus.

Në rrethanat e reja gjeopolitike, sidomos pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme, vërehet një nivel më i avancuar i kësaj lufte. Dallimi është thelbësor: nëse deri në vitet 2023–2024 sulmet ishin më të drejtpërdrejta, përfshirë edhe veprime terroriste si në Kosovë, tani vërehet një përpjekje për ta relativizuar atë periudhë, duke u paraqitur si viktimë dhe sofistikuar diplomacinë publike me arsyetim veprimesh në terren”, ka shtuar Kuçi në shkrimin e tij në Facebook.

Shija e redaktorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Të fundit nga rubrika