Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Idriz Alija, duke e dënuar atë me 11 vjet burgim për veprat penale që lidhen me tentim vrasjeje të rëndë ndaj ish-bashkëjetueses së tij, Sh.T.
Vendimi u shpall të martën. Sipas aktgjykimit, Alija u dënua me 10 vjet burgim për “vrasje të rëndë në tentativë”, një vit për “armëmbajtje pa leje” dhe gjashtë muaj për “mospërfillje të gjykatës”, duke rezultuar në një dënim unik prej 11 vjetësh.
Ngjarja kishte ndodhur më 6 gusht 2024 në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, ku i pandehuri, pas mosmarrëveshjeve të mëhershme dhe rasteve të raportuara të dhunës në familje, kishte ndjekur nga pas të dëmtuarën dhe djalin e saj të mitur. Sipas aktakuzës, pasi ata kishin kaluar vendkalimin për këmbësorë, Alija kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë disa herë në drejtim të saj, duke e goditur më pas edhe fizikisht.
Pavarësisht përpjekjes së djalit të mitur për ta mbrojtur nënën e tij, i akuzuari kishte vazhduar sulmin duke qëlluar sërish dhe duke e goditur me kondak të armës në kokë disa herë. Dy qytetarë të rastit kishin ndërhyrë, duke e neutralizuar dhe duke i marrë armën, deri në ardhjen e policisë.
Si pasojë e sulmit, e dëmtuara kishte pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe ishte hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmon se lëndimet ishin të rrezikshme për jetën.