Nexhat Llumnica, kryetar i Sindikatës së re të Korporatës Energjetike të Kosovës, e ka konsideruar diskriminues përjashtimin e punëtorëve të KEK-ut nga paga e 13-të nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Sipas Llumnicës, problemi qëndron në mënyrën se si institucionet po e kategorizojnë KEK-un, duke e trajtuar në mënyra të ndryshme varësisht nga përfitimet që janë në pyetje.
“Sepse është diskriminuese për faktin se Qeveria e komenton ligjin ashtu siç dëshiron vetë, herë e quan sektor publik KEK-un e herë ndërmarrje publike. Në rastin kur disa veteranë të UÇK-së (punonjës të KEK-ut) kanë pasur një beneficion një gjysmë page, ua ka ndalur për shkakun se thonë që jeni sektor publik, mirëpo kur është në pyetje paga e 13-të për punëtorët e KEK-ut thonë se nuk jeni sektor publik”, ka deklaruar Llumnica në emisionin FIVE.
Ai ka shtuar se kjo qasje është e padrejtë ndaj punëtorëve të KEK-ut.
“E në këtë rast ose e konsiderojmë se janë shumë të padijshëm ose tepër diskriminues ndaj punëtorëve të KEK-ut kur e shohim se pa punëtor nuk ka shërbim jetik, nuk ka dritë nuk ka zhvillim ekonomik”, ka theksuar ai.
Llumnica ka theksuar gjithashtu se punëtorët e KEK-ut nuk janë të rregulluar me ligjin për paga, ndërsa kërkesa për pagën e 13-të i është drejtuar si Qeverisë ashtu edhe menaxhmentit të KEK-ut.