Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel.
Në reagimin e tij, Begaj e vlerësoi Engelin si një mik të madh të popullit shqiptar dhe një mbështetës të palëkundur të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se Engel ishte një zë i fortë në momentet më të vështira për shqiptarët, veçanërisht për Kosovën.
Përmes një postimi në platformën X, presidenti shprehu mirënjohje për kontributin e tij, duke nënvizuar se emri i Engelit do të mbetet i paharruar në kujtesën e shqiptarëve si një ndër miqtë më të çmuar të tyre.
Ish-kongresmeni Eliot Engel, një figurë e njohur e politikës amerikane dhe mbështetës i kahershëm i shqiptarëve, ndërroi jetë të premten në moshën 79-vjeçare.