27 vjet nga Masakra e Kovaçëve, drejtësia e munguar, kërkohet ndëshkim i përgjegjësve

Me dhimbje, pak prani dhe shumë pyetje pa përgjigje, u shënua sot 27-vjetori i Masakrës së Kovaçëve në Mitrovicë, ku më 14 prill 1999 forcat serbe vranë 31 civilë shqiptarë, pasi u nxorën me forcë nga shtëpitë e tyre dhe u ekzekutuan.

Shahdie Pllana-Hoti, e cila humbi dy vëllezër dhe bashkëshortin, thotë se kujtimet e asaj dite mbeten të freskëta dhe të dhimbshme, duke përshkruar momentet e ndarjes dhe ekzekutimit si të paharrueshme.

“Të vrarë i kam dy vëllezërit, Enesin dhe Emir Pllanwn dhe burrin, Xhemil Hotin. Po tash e 27 vite, sa herë që vjen ky përvjetor, e përjeton njëjtë, sepse të kujtohet secila imtësi më e vogël. Më së pari kur kanë ardhur, na kanë trokitur ushtari i policisë ushtarake, kur na ka thënë: ‘Vëlla, hajde nënë se po na qesin’; kur kemi nisur me dalë prej banesës, kur na kanë ndarë, kur i kemi dëgjuar krismat. Më ka shkuar piskama në kupë të qiellit; atëherë edhe qielli ka filluar me qajtë, sepse ka qenë kohë e mirë, me diell, kohë e nxehtë. Në momentin që na kanë ndarë, si kanë filluar krismat, edhe qielli ka filluar me qajtë; besomni, ka filluar një shi i qetë me ra”, tregon Pllana-Hoti.

Ajo shprehet e pakënaqur me trajtimin institucional dhe shoqëror të kësaj ngjarjeje, duke theksuar se viktimat e kësaj masakre nuk trajtohen njësoj si të tjerat dhe se përkujtimet karakterizohen nga pjesëmarrje e ulët.

“Për djemtë dhe burrat e kësaj rruge, kur kurgjë nuk është ndërmarrë sot e 27 vite, ju mundeni me pa edhe përkujtimin, kur është, sa pak njerëz ka. Këta nuk cilësohen, nuk trajtohen sikur viktimat dhe martirët e tjerë; këta janë ndryshe krejt trajtimi, nuk e di pse. Është masakra më e madhe në rrugën e ‘Kovaçëve’; keni mund me pa edhe vetë se qysh trajtohen, vijnë një grusht njerëzish dhe kurgjë hiq. Sa për institucionet, nuk kanë bërë kurgjë hiq, absolutisht nuk kanë bërë. E thjeshtë, dy minuta punë”, përfundoi ajo.

Ndërsa, Fisnik Sejdiu, familjar i viktimave, tha se përkujtimi i martirëve duhet të jetë më i madh në vitet në vijim, duke shtuar se autorët e krimeve duhet të përballen me drejtësinë.

“Me i nderuar këta martirë dhe shpresoj që viteve të tjera kemi me u bw më shumë dhe ata kriminelët që e kanë bërë gjithë këtë masakër të madhe, por jo vetëm në Mitrovicë, kanë me marrë dënimin e vet të merituar. Shpresoj që së bashku me komunën, qysh e përmendi edhe kryetari, kemi me arritë që kjo datë me hy në kalendarin historik të komunës dhe së bashku mos me i harru këta martirë, me i përkujtuar gjithmonë. Faleminderit edhe njëherë secilin që keni gjetë kohë me ardhë e këta Zoti, inshallah, i ka shpërblyer me Xhenet” – tha Sejdiu.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, e cilësoi këtë si një nga masakrat më të mëdha në nivel vendi dhe më të rëndën në Mitrovicë, duke theksuar se krimet ndaj civilëve të pafajshëm ishin pjesë e politikave të regjimit të Slobodan Millosheviqit.

“Kjo është njëra prej masakrave më të mëdha në nivel vendi, por më e madhja në Mitrovicë, që ka ndodhur sot 27 vite më parë. Dhimbja çdo herë është prezente edhe tek familjarët, por edhe tek të gjithë ne që jemi qytetarë të Mitrovicës, për shkak se vepra makabre dhe barbarizmi i falangave të Slobodan Miloseviqit është manifestuar edhe tek qytetarët e lirë, civilë të pafajshëm dhe të pambrojtur. Për shkak se ata përfundimisht kuptuan që Kosova nuk mund të jetë e robëruar, edhe si hakmarrje ishte masakra e Kovaçëve. Ne jemi këtu për t’i nderuar, sikurse do t’i nderojmë çdo herë, e bashkë me mesazhin që gjaku i martirëve dhe gjithë dëshmorëve të Kosovës nuk ka shkuar huq, për shkak se sot kemi institucionet dhe e kemi lirinë, e amaneti i tyre është që ne në baza ditore ta jetësojmë këtë gjak, por edhe mundin dhe sakrificën e një populli e një kombi të tërë” – tha Peci.

Sipas Halit Baranit nga Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, viktimat u nxorën me forcë nga shtëpitë e tyre nga një grup paramilitar serb dhe u ekzekutuan pranë shkollës “Meto Bajraktari”.

“Këtu e 27 vite më parë, saktësisht më 14 prill 1999, në orët e pasdites, një grup i quajtur “Frangjësit” të Beogradit, të cilët ishin kriminelë çetnikë serbë, të cilëve u priu kryekrimineli Oliver Ivanoviq së bashku me Igor Simiq e të tjerë, i kanë nxjerrë prej banesave, shtëpive të veta 31 shqiptarë, kryesisht të rinj, i kanë qitur para shkollës “Meto Bajraktari” dhe i kanë pushkatuar me radhë. Një pjesë i kanë futur në oborr të shtëpisë së Kurshumliut, Haki Kurshumliut, dhe 4 prej tyre që kanë qenë në radhë duke pritur për t’u pushkatuar i ka liruar Oliver Ivanoviqi. Për këtë arsye edhe sot nuk kanë ardhur këtu; nuk e di pse, por ishte dashur edhe ata të jenë këtu prezent dhe të japin deklarata për mjetet e informimit. Këta 31 trupa të pajetë i kanë marrë, i kanë larguar prej këtu dhe i kanë varrosur me qëllim për zhdukjen e tyre në një fushë pjerrinë, e cila është në mes të fshatit Suhodoll dhe Vidimriq. Pastaj, më 25, 26 dhe 27 shtator 1999 bëhet zhvarrimi i tyre, ku 26 prej tyre identifikohen, ndërsa 5 prej tyre kanë mbetur të paidentifikuar dhe ende gjenden në morgun e Rahovecit, ku ka edhe shumë të pagjetur të tjerë”, tha Berani.

Barani po ashtu tha se për këtë rast janë arrestuar katër persona, por tre prej tyre janë liruar nga aktakuza, ndërsa Oliver Ivanoviq ishte dënuar me nëntë vjet burgim.

“Kanë qenë të arrestuar më vonë katër persona; tre prej tyre janë liruar nga aktakuza, ndërsa njëri, përkatësisht kryekrimineli Oliver Ivanoviqi, është dënuar me 9 vite burg, por kur ka bërë ankesë pas ankese është liruar nga burgu dhe është mbrojtur në liri, por ndërkohë e vranë vetë bashkëkriminelët apo bashkëkombësit e vet, edhe ai mbeti pa e kryer dënimin”,  tha ai.

Edhe pas 27 vjetësh, Masakra e Kovaçëve mbetet një plagë e hapur për familjarët dhe qytetin e Mitrovicës. Mungesa e drejtësisë së plotë dhe trajtimit të barabartë për viktimat vazhdon të theksohet nga të afërmit, të cilët kërkojnë jo vetëm ndëshkimin e përgjegjësve, por edhe përkujtim dinjitoz dhe institucional të kësaj ngjarjeje. Për ta, 14 prilli nuk është vetëm një datë përkujtimore, por një kujtesë e përhershme për krimet e kryera dhe obligim që ato të mos harrohen kurrë./KP

Shija e redaktorit

SHBA kërkon mbylljen e UNMIK-ut: Kosova s’mund të trajtohet si...

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së për...

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë shënon 18-vjetorin e ngritjes

Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ndryshoi zyrtarisht nga “Zyrë e SHBA-së” në “Ambasadën e SHBA-së në...

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Të fundit nga rubrika