Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi e ka komentuar miratimin e Kuvendit të Kosovës dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në mision paqeruajtës në Gaza, duke e cilësuar këtë vendim si një “rreshtim strategjik” të qartë të vendit.
Sipas tij ky hap reflekton orientimin e qartë euro-atlantik të Kosovës, si dhe unitetin e forcave politike në funksion të këtij synimi.
“Miratimi i Kuvendit të Kosovës për dërgimin e FSK-së në misionin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, shpreh orientimin e qartë strategjik dhe unitetin e forcave politike në rrugën drejt komunitetit euro-atlantik”, ka shkruar ai.
Fetoshi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se përmes këtij vendimi, Kosova po dërgon një mesazh të fuqishëm ndaj kërcënimeve hibride serbo-ruse, duke tejkaluar njëkohësisht barrierat që kanë penguar konsolidimin e saj në arenën ndërkombëtare.
Fetoshi vlerësoi se, ndonëse një shtet i vogël dhe kompleks nga pikëpamja gjeopolitike, Kosova po dëshmon se mund të jetë një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin global.
“Jo çdo herë ka rëndësi madhësia, as kapacitetet ushtarake, sepse forca e partneritetit me vlerat e lirisë është më shumë”, ka shkruar ai.
Ai shtoi se pjesëmarrja e Kosovës në një prej zonave më të nxehta të botës e afirmon vendin si partner të besueshëm përkrah fuqive kryesore ndërkombëtare.
Në fund, Fetoshi theksoi se ky vendim pasqyron vlerën e partneritetit me aleatët dhe aspiratën e Kosovës për integrim në strukturat euro-atlantike, duke i cilësuar narrativat kundërshtuese si “përralla, ëndrra të këqija ose propagandë”.