Komuna e Prishtinës do të organizojë një sërë aktivitetesh përkujtimore me rastin e 18 Prillit – Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, duke nderuar sakrificën e të rënëve për liri.
Aktivitetet nisin në orën 10:00 me homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Velani, njofton Dukagjini.
Më pas, në orën 10:30 do të bëhen nderime pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, ndërsa në orën 10:35 në sheshin “Zahir Pajaziti” do të organizohet aktiviteti për dhurim vullnetar të gjakut.
Në orën 11:30 janë paraparë homazhe në Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve dhe Martirëve në Makovc.
Ndërsa nga ora 12:00 do të vazhdohet me homazhe në disa fshatra të Prishtinës, përfshirë Sharbanin, Rimanishtën, Barilevën, Bernicën e Epërme, Mramorin, Stallovën, Koliqin, Prapashticën, Dabishecin dhe Canajn.
Aktivitetet përmbyllen me tubimin qendror tradicional “Epopeja e UÇK-së”, që do të mbahet në Marec nga ora 13:00.
Ndërsa nga ora 17:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit do të mbahet akademia përkujtimore në nderim të dëshmorëve.