Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka reaguar pas dështimit të bisedimeve mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri, duke e kritikuar qëndrimin e LDK-së.
Reagimi i tij vjen pasi takimi i së hënës mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfundoi pa marrëveshje.
Kurti deklaroi se bisedimet ishin të pasuksesshme, pasi asnjë nga ofertat e bëra nga LVV-ja nuk u pranua nga LDK-ja. Ai bëri të ditur se kishte ofruar një marrëveshje për bashkëqeverisje, që përfshinte postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera për LDK-në. Po ashtu, sipas tij, ishte ofruar edhe posti i kryetarit të Kuvendit.
Në anën tjetër, Abdixhiku konfirmoi se nuk do të ketë më takime me Kurtin, duke thënë se përpjekjet për marrëveshje kanë dështuar.