Avokati Naim Rudari, i cili është avokat i të dëmtuarit Alban Rashiti, ka folur rreth gjykimit të tre të akuzuarve në rastin e sulmit terrorist në Banjskë.
Gjatë ditës së sotme (e hënë), më 20 prill, të tre të akuzuarit kanë dhënë edhe fjalët e tyre përfundimtare, ku kanë mohuar veprën pavarësisht provave të cilat dëshmojnë përfshirjen e tyre në këtë sulm.
“Tani po finalizohet një punë e mirë që është bërë nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë, ku kanë mbledhur shumë prova… një rast i përgjysmuar, i mangët për shkak se mungon i dyshuari kryesor apo ai kryeterroristi që ka udhëhequr gjithë këtë plan, por në fakt mungojnë edhe shumë të tjerë të akuzuar, por si do që të jetë është dhënë mundësi që përmes tre të arrestuarve që janë akuzuar nga Prokuroria Speciale të shpërfaqet numër i madh i provave dhe të shpërfaqet dhe ta sheh mbarë bota planin që ishte ekzekutuar nga ky grup terrorist, por besojmë që është dëshmuar mjaftueshëm se ai ishte planifikuar nga politika shoviniste e Beogradit”, ka thënë ai në FIVE në RTV Dukagjini.
Pas përfundimit të fjalës përfundimtare të të akuzuarve përmes mbrojtësve të tyre, sipas Rudarit, të premten do të shpallet aktgjykimi nga gjykata.
“Tani ka mbetur shpallja e aktgjykimit nga Gjykata që do të bëhet të premten dhe që besojmë që gjykata do ta jap fjalën e saj, që siç e kemi kërkuar ne dhe Prokuroria do të jetë burgim i përjetshëm për të akuzuarit që janë prezent”, ka thënë Rudari.