Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Vetëvendosjes në sektorin e energjisë.
Ai në seancën e jashtëzakonshme ka thënë se sektori energjetik ndodhet në “situatë të jashtëzakonshme të rënduar në çdo dimension”, duke shtuar se, sipas tij, gjatë gjashtë viteve të fundit është ndjekur një politikë e njëjtë qeverisëse që ka dështuar.
Shala ka deklaruar se rezultatet e menaxhimit aktual janë të dobëta, pasi Kosova nuk ka rritur kapacitetet prodhuese të energjisë dhe nuk e plotëson konsumin vendor, gjë që sipas tij e ka rritur varësinë nga importi.
“Sektori energjetik është në situatë të jashtëzakonshme të rënduar në çdo dimension. Qeveria tash e gjashtë vite ka menaxhuar këtë sektor me të njëjtën logjikë, me të njëjtën politikë qeverisëse, e cila tashmë është treguar dhe shifrat tregojnë që është e dështuar. Rezultatet e këtij menaxhimi janë të dështuara për faktin që vendi nuk ka rritje dhe kapacitete prodhuese energjetike që e plotësojnë konsumin dhe kërkesën praktikisht vendore. Nuk ka energji të mjaftueshme për rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë tonë prodhuese”, ka deklaruar Shala.
Ai ka kritikuar edhe procesin e liberalizimit të tregut të energjisë, duke e cilësuar si të paqëndrueshëm dhe me mungesë transparence, si dhe ka përmendur rritjen e çmimit të energjisë dhe, siç tha ai, afera korruptive në këtë sektor.
Shala ka kërkuar debat të gjerë parlamentar për, siç u shpreh, “të vërtetën” mbi gjendjen në sektorin e energjisë dhe politikat qeverisëse.
“Nuk ka energji prodhuese për të tërhequr investitorët e jashtëm. Krejt çka kemi arritur në këtë periudhë të qeverisë Kurti është krijimi i frymës dhe situatës reale që Kosova është e varur nga importet. Logjika dhe politika qeverisëse për importet është thyer me dinamikë, pa koncept e pa transparencë me procesin e liberalizimit të tregut, në konceptin e fuqizimit të tregtarëve të energjisë me akterë nga i njëti subjekt politik qeverisës. Tash e gjashtë vite kemi tri herë rritje të energjisë, kemi dhjetëra afera të mëdha korruptive në këtë sektor”, ka deklaruar ai.