Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rozeta Hajdari, në seancën e jashtëzakonshme ka kundërshtuar pretendimet e PDK-së se njësorët elektrik nuk matin saktë, se faturimi është i manipuluar dhe se ekziston përfitim i organizuar në dëm të qytetarëve.
Ajo ka thënë se sistemi energjetik në Kosovë funksionon mbi parimin e të hyrave të lejuara maksimale, të përcaktuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), duke theksuar se operatorët nuk mund të realizojnë fitime përtej kufijve të lejuar ligjorë.
Sipas Hajdarit, pretendimet për manipulim të faturave nuk qëndrojnë, pasi problemi i ngritur ka të bëjë me sinkronizimin e njësorëve elektronikë dhe jo me saktësinë e matjes së energjisë.
“Sistemi i energjisë në Kosovë funksionon mbi parimin e të hyrave të lejuara maksimale që do të thotë se operatorët nuk mund të gjenerojnë të ardhura përtej kufijve të përcaktuar nga ZRRE. Kjo strukturë e mbyllur, rregullatori kufizon fitimin dhe e lidh atë drejtpërdrejt me kostot reale të sistemit, prandaj ideja e përfitimit të pakufizuar përmes manipulimit të faturave bie ndësh me vetë strukturën ligjore të sektorit të energjisë. Çështja që po ngritet me kërkesën e PDK-së se lidhet me sinkronizimin kohor të njësorëve elektronik dhe jo me saktësinë e matjes së energjisë në kilovat orë”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka shtuar se Agjencia e Metrologjisë së Kosovës është institucioni kompetent për verifikimin e njësorëve elektrikë dhe se ekzistojnë mekanizma të rregullt kontrolli, përfshirë verifikime periodike dhe të jashtëzakonshme.
“Sipas legjislacionit metrologjik, një njësor konsiderohet i saktë nëse qëndron brenda kufijve të gabimit të lejuar për matjen, ndërsa devijimi i kohës ndikon vetëm në ndarjen e konsumit në tarifa të ndryshme duke e shvendosur problemin nga matja në faturim. Agjencia e metrologjisë të Kosovës është institucioni vetëm kompetent për verifikimin e saktësisë së njësorëve elektrik në bazë të ligjit për metrologjin, prandaj çdo pretendim për pasaktësinë e matjes duhet të trajtohet në këtë kuadër”, ka theksuar ajo.
Hajdari ka theksuar se gjatë viteve 2024–2026 janë tërhequr mbi 153 mijë njësorë nga rrjeti për verifikim, duke e cilësuar këtë si dëshmi të një procesi aktiv të mbikëqyrjes dhe mirëmbajtjes së sistemit.