Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të partisë së tij, Fatos Geci, i cili lidhi procesin gjyqësor në Hagë të ish-presidentit Hashim Thaçi me dënimin me burgim të përjetshëm të Naim Murselit.
Durmishi ka thënë se ndihet i turpëruar nga një deklaratë e tillë.
“Unë ndihem i turpëruar nga deklarata e deputetit Geci! Lufta jonë ishte e pastër dhe çlirimtare! UÇK është vlera më e lartë e kombit tonë!”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Më herët, Geci duke përshëndetur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dënimin e Naim Murselit, tha se një përfundim i ngjashëm e pret edhe Thaçin, i cili aktualisht po përballet me akuza për krime lufte në Dhomat e Specializuara.
“Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit. Dhe ju që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat”, ka thënë Geci.