Ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini, është arrestuar të enjten, raportojnë mediat vendase duke iu referuar burimeve brenda hetuesisë.
Sipas televizionit Alsat, Sejdini dyshohet për shpërdorimin e rreth 700 mijë eurove, fonde këto të ndara nga UEFA për ndërtimin e një tribune në stadiumin e Ohër.
Burimet bëjnë të ditur se mjetet financiare ishin destinuar për përmirësimin e infrastrukturës sportive, por ekzistojnë dyshime serioze se ato nuk janë shfrytëzuar sipas qëllimit të paraparë.
Sejdini mori drejtimin e Federatës në vitin 2018 dhe gjatë mandatit të tij, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut arriti sukses historik duke u kualifikuar në Euro 2020 për herë të parë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi rastin, ndërsa hetimet pritet të zbardhin rrethanat e plota të këtij skandali.