Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Rexhep Qosjes, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar.
Konjufca ka thënë se Qosja për më shumë se gjysmë shekulli ishte “zëri i artikuluar i ndërgjegjes kombëtare”, duke vlerësuar kontributin e tij në shkencë, letërsi dhe jetën publike.
Ai ka theksuar se Qosja nuk u kufizua vetëm në punën akademike, por gjatë viteve ’80 u shqua për guximin e tij në denoncimin e shtypjes ndaj shqiptarëve në Kosovë.
“Kur erdhi koha e domosdoshmërisë së luftës së armatosur kundër okupimit Rexhep Qosja e kishte të qartë: vetëm mbështetja e UÇK-së na rreshton në anën e duhur të historisë”, ka shkruar ai.
Ai e ka përshkruar Qosjen si progresiv në bindje, egalitar në qëndrime dhe humanist në vlera, duke shtuar se vepra e tij do të studiohet edhe më thellë në të ardhmen.
Konjufca ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe gjithë kombin shqiptar, duke u shprehur “U prehtë në paqe”.