Në krye të një procesi të ndjeshëm diplomatik, në pozitë erdhi edhe një emër i ri.
Qeveria e Kosovës, procesin teknik për dialogun mes Kosovës e Serbisë ia besoi Agron Bajramit.
Një figurë veçse e njohur në diplomaci, aktualisht ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës.
Vet ambasadori tha se ndjehet i nderuar me këtë detyrë të re.
“Me ndjenjë të thellë detyre dhe përgjegjësie pranova emërimin si Kryenegociatori i Kosovës në Dialogun me Serbinë. Duke falënderuar Kryeministrin AlbinKurti për besimin që më është dhënë, zotohem ta kryej këtë përgjegjësi me përulësi dhe integritet, në shërbim të Republikës së Kosovës, dhe me aftësitë e mia më të mira”, ka shkruar Bajrami.
Por, krahas rolit si kryenegociator, Bajrami nuk do të shkëputet nga detyra e tij në Bruksel si përfaqësues i Kosovës në Belgjikë.
Kjo po konsiderohet se mund të ndikojë në efikasitetin e punëve që mund të kryhen.
Sipas Besar Gërgit nga Grupi për Studime Politike dhe Ligjore, ekzekutivi duhet t’i kushtojë vëmendje të shtuar këtij aspekti.
“Qeveria duhet të ketë shumë kujdes këtu, sepse ambasadori ynë në Bruksel ka veçse tre përgjegjësi atje, e para është përfaqësimi i Kosovës në Belgjikë dhe Luksemburg, përfaqësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe shto këtu faktin se u emëru në një pozitë të re, dueht të ketë kujdes qeveria”, ka thënë Gërgi.
Për ta balancuar këtë ngarkesë, Gërgi sugjeron se Qeveria duhet të dërgojë staf shtesë tek Bajrami.
Ndërkohë, ish-diplomati Blerim Canaj, konsideron se zgjidhja më e qëndrueshme, do të ishte emërimi i një diplomati të karrierës e jo politik.
“Në sytë e mi, e mirëseardhur do të ishte nëse aty do të futej një diplomat i karrierës, kështu që nëse e marrim përvojën diplomatike është mirë, por shpresoj që nuk është një person që mundohet të zbatojë atë që e thotë kryeministri Kurti, sesa të funksionojë për interesin e shtetit”, ka thënë Canaj.
Agron Bajrami detyrën si ambasador i Kosovës në Belgjikë e mori zyrtarisht në shkurt të vitit 2022.