Një 31-vjeçar nga Kalifornia është arrestuar pasi u dëgjuan të shtëna me armë brenda hotelit ku po mbahej darka e përvitshme e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington.
Sipas autoriteteve amerikane, i dyshuari është identifikuar si Cole Tomas Allen nga Torrance, në rajonin e Los Anxhelosit. Ai u ndalua nga agjentët e sigurisë brenda hotelit Washington Hilton, ku po zhvillohej ngjarja.
Burime për mediat amerikane kanë bërë të ditur se i dyshuari u ka thënë hetuesve se kishte për qëllim të qëllonte zyrtarë të administratës së ish-presidentit Donald Trump. Ndërkohë, motivi i plotë i sulmit mbetet ende nën hetim, raporton BBC,
Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Todd Blanche, deklaroi se gjetjet paraprake sugjerojnë se objektiv i mundshëm mund të ketë qenë edhe vetë Trump. Ai shtoi se i dyshuari “nuk arriti të depërtojë thellë” në zonën e sigurisë.
Sipas raportimeve, gjatë incidentit janë dëgjuar nga pesë deri në tetë të shtëna, ndërsa forcat e sigurisë kanë shkëmbyer zjarr me të dyshuarin. Ai nuk është plagosur, por është dërguar në spital për vlerësim.
Shefi i përkohshëm i policisë në Uashington, Jeffery Carroll, tha se i dyshuari ishte i armatosur me një shotgun, një pistoletë dhe disa thika.
Ai shtoi se, bazuar në të dhënat fillestare, bëhet fjalë për një sulmues të vetëm.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu raportet se arma mund të jetë montuar brenda hotelit. Ndërkohë, janë kryer kontrolle edhe në një adresë në Kaliforni që besohet se lidhet me të dyshuarin.
Sipas të dhënave publike, Allen kishte studiuar inxhinieri mekanike në një universitet prestigjioz në Kaliforni dhe kishte përfunduar masterin në shkenca kompjuterike në vitin 2025.
Ai kishte punuar gjithashtu si mësues me kohë të pjesshme.
Prokurorja federale për Uashingtonin, Jeanine Pirro, bëri të ditur se ndaj tij janë ngritur dy akuza, përdorim i armës së zjarrit gjatë një krimi të dhunshëm dhe sulm ndaj një zyrtari federal me armë të rrezikshme. Ai pritet të dalë para gjykatës federale të hënën.
Sulm i armatosur në darkën e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë