Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka komentuar zhvillimet e mbrëmshme ku deputetët dështuan në zgjedhjen e presidentit teksa vendin e presin zgjedhjet e reja.
Osmani, nëpërmjet një videoje, thotë se nata e mbrëmshme ka qenë e rëndë për Kosovën teksa thotë se populli ka ditur të ngritet edhe nga momente shumë më të rënda, njofton Dukagjini.
Mes tjerash, Osmani thotë se tashmë ka ardhur momenti që sipas saj t’i thuhet mjaft propagandës, frikës e urrejtjes teksa ka ftuar qytetarët që të bashkohen në ‘mision’.
“Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën, por ky popull ka ditur të ngritët edhe nga momente shumë më të rënda. Prandaj, ka ardhur momenti që të japim dashni dhe vetëm dashni për vendin tonë – mjaft më me propagandë, mjaft më me urrejtje, mjaft më me përçarje, mjaft më me ndjellje të frikës, mjaft më. Aty ku ka urrejtje duhet të sjellim vetëm e vetëm dashni për njëri-tjetrin dhe për vendin tonë. Aty ku ka frikë duhet të sjellim shpresë e aty ku ka propagandë e shpifje duhet ta mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Ju ftoj që të bashkoheni në këtë mision sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli”, ka deklaruar Osmani.
