KQZ-ja në pritje të vendimit për datën e zgjedhjeve, paralajmëron përshtatje të afateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të radhës, të cilat pritet të jenë të parakohshme.

Këtë për Dukagjinin e tha edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se për shkak të natyrës së këtyre zgjedhjeve, organizimi i procesit do të bëhet brenda afateve të shkurtuara kohore.

Siç thotë Elezi, një nga vendimet e para që pritet të merret është përshtatja e afateve të aktiviteteve zgjedhore, në përputhje me kohën në dispozicion dhe rrethanat konkrete.

Tutje, ai thekson se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep institucionit kompetencë për të ndryshuar dhe përshtatur këto afate, duke mundësuar zhvillimin e procesit zgjedhor në mënyrë efikase.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të radhës. Meqenëse këto janë zgjedhje të parakohshme, organizimi i tyre bëhet me afate të shkurtra kohore dhe një nga vendimet e para të KQZ-së për këtë proces zgjedhor do të jetë ndryshimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore apo përshtatja e tyre sipas nevojës dhe në pajtim me rrethanat. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ia jep të drejtën KQZ-së që afatet kohore të aktiviteteve zgjedhore të përshtaten me ditët në dispozicion të KQZ-së për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, tha Elezi për Dukagjinin.

Elezi, mes tjerash, thotë se në kuadër të planit të aktiviteteve zgjedhore, KQZ do të përcaktojë afatet kryesore që lidhen me të gjithë pjesëmarrësit në proces. Këto përfshijnë afatin për partitë politike për formimin e koalicioneve dhe deklarimin e mospjesëmarrjes, si dhe afatin për certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë.

“Me planin e aktiviteteve, KQZ rregullon çështjet mbi të cilat ndërtohet i gjithë procesi zgjedhor dhe që kanë të bëjnë me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit. Pra, këtu përcaktohen afati për partitë politike për të formuar koalicione dhe deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje; afatin për subjektet politike për t’u certifikuar e për të dorëzuar listën e kanidatëve për deputetë; dhe periudhën e fushatës zgjedhore. Po ashtu, me anë të këtij plani, KQZ cakton edhe kohën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, votimin përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike, si dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta. Pjesë e këtij plani është edhe vendosja e afateve për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave”, tha Elezi.

Kujtojmë se pas zhvillimeve politike dhe dështimit të procesit për zgjedhjen e presidentit, Kosova pritet të hyjë në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh.

Sipas llogaritjes së afateve ligjore, duke marrë si pikënisje datën 29 prill, kur kanë filluar të rrjedhin procedurat për zbatimin e vendimeve kushtetuese, zgjedhjet e reja duhet të mbahen më së largu deri më 7 qershor.

Kur mund të mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë? 

Shija e redaktorit

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Shtëpia botuese “Dukagjini” sjell në gjuhën shqipe 16 libra të...

Secila një histori ndryshe nga tjetra. Të gjashtëmbëdhjetë libra nga krijimtaria e nobelistit gjermano-zviceran, Hermann Hesse, në gjuhën shqipe i gjeni në Librarinë “Dukagjini”. Promovimi i...

Kosova shteti i parë në Ballkan me angazhime të pranuara...

Republika e Kosovës është bërë shteti i parë nga Ballkani dhe i shtati në botë që i janë pranuar angazhimet në Kartën Globale për...

Të fundit nga rubrika