Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, do të zhvillojë sot, e enjte, një takim konsultativ me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.
Takimi është planifikuar të mbahet në orën 15:00.
Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar tashmë partitë opozitare.
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka bërë të ditur se LDK do të marrë pjesë në takim, ndërsa delegacioni i kësaj partie do të përfaqësohet nga Jehona Lushaku.
Po ashtu, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se në takim do të marrë pjesë kryetari i partisë, Bedri Hamza.
Ndërkohë, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli, ka konfirmuar se partia do të përfaqësohet nga Ardian Gjini.