Ish-shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ndaj asaj që e cilëson si një fushatë të organizuar kundër LDK-së, për të cilën u shpreh se ka nisur gjatë natës.
Lushaku-Sadriu ka mohuar kategorikisht se ka dorëheqje brenda LDK-së, duke theksuar se bëhet fjalë për dezinformim teksa shtoi se sipas saj bashkimi i së djathtës po bëhet realitet, njofton Dukagjini.
“Një fushatë e paturpshme ka nisur në mesnatën e mbrëmshme kundër LDK-së. Fabrikim i posterëve në gjuhë serbe, fabrikim i dorëheqjeve e fyerje me mesazhe intimiduese ndaj anëtarëve të LDK-së. Krejt kjo është dëshmi e frikës së madhe që ekziston nga bashkimi i së djathtës rreth LDK-së e rritja e saj”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.
Lushaku-Sadriu ka akuzuar kundërshtarët për shpifje dhe përpjekje për të krijuar përçarje që, sipas saj, nuk ekzistojnë, ndërsa ka theksuar se këto veprime synojnë të mbulojnë dështimet politike.
“Kur nuk kanë argumente, shpifin, dhe kur nuk kanë mbështetje, fabrikojnë përçarje që nuk ekzistojnë. Nuk ka dorëheqje nga LDK, por ka vetëm një të vërtetë që i tremb: bashkimi i së djathtës po bëhet realitet. Ata që e sollën vendin në kriza politike, në panik, tentojnë ta mbulojnë dështimin me propagandë të ultë”, ka shkruar ajo.
