Një raport i organizatës prestigjioze Bar Human Rights Committee of England and Wales ka ngritur shqetësime serioze mbi funksionimin e Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në dyshim respektimin e standardeve të drejtësisë dhe të drejtave themelore të të akuzuarve.
Dokumenti, i prezantuar në Prishtinë nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj përqendrohet ekskluzivisht në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe konsiderohet një ndër analizat më kritike të deritanishme për këtë institucion.
Sipas raportit, ekziston rrezik real që disa procese gjyqësore të mos jenë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për gjykim të drejtë, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
Në fokus janë edhe shqetësimet për trajtimin e të akuzuarve, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Raporti vë në pah kohëzgjatjen e paraburgimit dhe kufizimet për lirimin e përkohshëm, duke ngritur dyshime mbi respektimin e të drejtës për liri dhe parimit të proporcionalitetit.
Një nga çështjet më problematike që theksohet është ajo e “barazisë së armëve”, ku sipas raportit mbrojtja mund të jetë në disavantazh përballë prokurorisë. Për më tepër, dokumenti ngre shqetësime serioze edhe për mënyrën e administrimit të provave, duke paralajmëruar për rrezikun e përdorimit të materialeve me vlerë të dobët apo të paverifikuara, përfshirë edhe burime nga Serbia, për të cilat mungon transparenca mbi origjinën.
Raporti nuk kursen kritika as për strukturën e gjykatës, e cila përbëhet vetëm nga gjyqtarë ndërkombëtarë, pa përfshirje të ekspertizës vendore, si dhe për mungesën e qartësisë në aplikimin e ligjit dhe transparencës në vendimmarrje.
Në këtë kontekst, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi rëndësinë e ruajtjes së standardeve të drejtësisë dhe shmangies së çdo ndikimi jashtë tyre.
“Tentimi për me i dhënë çfarëdo konotacioni jashtë standardeve, në të cilat sistemi jonë i drejtësisë funksionon. Meqenëse kjo gjykatë është e Republikës së Kosovës dhe është shqetësim i secilit qytetar të Kosovës, njëkohësisht edhe i imi si avokat i popullit, ne dëshirojmë që drejtësia të vendoset dhe askush i pafajshëm të mos pësojë, por edhe askush i fajshëm të mos mbetet i pandëshkuar.”
Qelaj vlerësoi se raporti duhet të shërbejë si një nxitje për përmirësim të funksionimit të gjykatës, sidomos në aspektin e transparencës dhe llogaridhënies.
“Unë mendoj se ky raport do t’i ndikojë Gjykatës Speciale në transparencë dhe llogaridhënie më të madhe dhe me i dhënë përgjigje shqetësimeve të ngritura”, tha ai.
Raporti paralajmëron se nëse këto probleme nuk adresohen, mund të dëmtohet jo vetëm e drejta e të akuzuarve, por edhe besimi publik dhe stabiliteti në rajon. Për këtë arsye, rekomandohet krijimi i një mekanizmi të pavarur dhe të vazhdueshëm monitorimi për të garantuar respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe për të rritur besueshmërinë e procesit gjyqësor në Hagë.