Një person ka mbetur i vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur, tre prej tyre në gjendje të rëndë, nga të shtënat me armë zjarri në disa zona në periferi të Parisit, në Francë teksa autoritetet franceze po e hetojnë rastin si akt të mundshëm terrorist.
Të shtënat ndodhën të premten në mëngjes, fillimisht në Trappes, në jugperëndim të Parisit, e më pas në La Verrière, në afërsi të saj.
Sipas ministrit të Brendshëm të Francës, Laurent Nuñez, sulmi zgjati pothuajse 15 minuta, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë 12-vjeçare, ndërsa i dyshuari për sulmin është arrestuar, ndërsa motivi i tij ende nuk është bërë i qartë.
Prokuroria Kombëtare Kundër Terrorizmit në Francë (PNAT) bëri të ditur se rasti po hetohet, ndër të tjera, si “vrasje në lidhje me një ndërmarrje terroriste”.
“Është qartazi një krim terrorist, këtë e ka thënë prokurori”, deklaroi Nuñez para gazetarëve në Trappes.
Kryetari i kësaj komune, Ali Rabeh, tha se një person kishte shtënë me armë nga vetura e tij ndaj disa njerëzve që i kishte hasur gjatë lëvizjes nëpër zonë.
Sipas dëshmitarëve, i dyshuari po drejtonte një veturë gri të tipit Renault Clio dhe kishte qëlluar në disa lagje. Rabeh tha se sulmuesi kishte shtënë pa dallim, me qëllimin e dukshëm për të shkaktuar sa më shumë viktima.
“Dukej se donte të shkaktonte sa më shumë viktima të ishte e mundur… ai donte të shkaktonte masakër”, deklaroi kryetari i komunës.
Sipas tij, të shtënat kishin ndodhur në një pikë karburanti, në një qendër shëndetësore dhe në një kënd lojërash për fëmijë në Trappes, përpara se i dyshuari të vazhdonte drejt La Verrière.
Megjithatë, Prokuroria Kombëtare Kundër Terrorizmit u bëri thirrje autoriteteve dhe publikut të tregojnë kujdes lidhur me identitetin e viktimave.
Nëna e vajzës 12-vjeçare të plagosur i tha transmetuesit francez RTL se e bija kishte marrë tetë plagë nga plumbat dhe kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas raportimeve të mediave franceze, i dyshuari përdori një armë gjysmëautomatike të vjetër dhe shtiu disa herë nga dritarja e veturës.
