Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe autoritetet gjermane, janë sekuestruar rreth 100 mijë euro pasuri të dyshuara si të përfituara nga veprat penale të “mashtrimit kompjuterik”.
Sipas njoftimit, pasuria dyshohet se ka origjinë nga aktivitetet e kundërligjshme të të dyshuarve dhe për këtë është vendosur edhe urdhër ndalues, me njoftimin e bankave komerciale në Kosovë.
“Si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Prokurori i Shtetit, pasuria e sekuestruar, në vlerë rreth 100.000 (njëqind mijë) euro, dyshohet se buron nga veprimtaria e kundërligjshme e të dyshuarve. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është lëshuar urdhër ndalues për këtë pasuri, për të cilin janë njoftuar edhe bankat komerciale në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se po vazhdojnë hetimet dhe mbeten të përkushtuara në luftimin e krimeve kibernetike, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.