Ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Hagë, ku ka zhvilluar një vizitë tek ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se, pavarësisht viteve të gjata dhe të vështira, Veseli dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë të ruajnë dinjitetin, qetësinë dhe besimin në drejtësi.
Ai e ka përshkruar Veselin si të palëkundur në bindjet e tij, me dashuri të madhe për Kosovën dhe mall për vendin dhe njerëzit e tij, duke shtuar se pritja e gjatë dhe shtyrja e vazhdueshme e vendimit e bëjnë këtë proces të rëndë.
Krasniqi ka theksuar se vazhdojnë të besojnë në pafajësinë e tyre dhe në nevojën që procesi të përfundojë sa më parë me një vendim të drejtë dhe të paanshëm.
“Po i numërojmë ditët deri në kthimin e tyre aty ku përkasin: në atdheun e tyre, pranë familjeve dhe popullit të Kosovës. Deri atëherë, keni të fala të gjithë nga Kryetari dhe shokët e tij!”, ka shkruar ai në Facebook.