Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka zhvilluar të mërkurën një operacion policor në Prishtinë, Lipjan dhe Vushtrri, në kuadër të hetimeve për shpronësime të kundërligjshme.
Si rezultat i këtij aksioni, janë arrestuar shtatë persona, të dyshuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë dhënie dhe marrje ryshfeti, si dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
“V.G dhe N.R për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, H.M., Sh.S dhe H.M., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. N.K për veprën penale “Marrja e ryshfetit, dhe A.P, për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale – Dhënia e ryshfetit dhe Marrja e ryshfetit””, thuhet nga Policia.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje teknologjike, dokumente dhe 6,450 euro para të gatshme.
Autoritetet bëjnë të ditur se për të njëjtin rast, në dhjetor të vitit të kaluar ishin arrestuar edhe shtatë persona të tjerë.