Nën dyshimet për tre vepra penale, zyrtarët policorë nisën bastisjen mëngjesin e së mërkurës.
“Keqperdorimi i detyrës zyrtare”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së pavertetë” janë veprat që dyshohet se kryen zyrtarë të Agjencisë Kadastrale, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë shtetërorë.
Kësisoj, policia bastisi zyrat e të dyshuarve dhe disa lokacione tjera, dhe si rezultat u arrestuan pesë personat e dyshuar.
Sipas Prokurorisë të dyshuarit A.Q., dhe N.K., në bashkëveprim dhe pas një marrëveshje paraprake, kanë përdorur një dokument të falsifikuar të titulluar “Kontratë për këmbim e paluajtshmërive”.
Përmes këtij dokumenti, Prokuroria thotë se është paraqitur në mënyrë të rreme kinse ka ndodhur një këmbim pronash në vitin 1966, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
“Gjatë hetimeve, është dyshuar se A.Q., dhe N.K., me ndihmën e personit zyrtar A.B., kanë arritur që dokumentin e falsifikuar të paraqesin si autentik, duke vulosur dhe përfshirë në arkivat e gjykatës, ndonëse një dokument i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë në evidencat zyrtare”.
Po ashtu, Prokuroria bën të ditur se i dyshuari A.B. në cilësinë e personit zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën duke krijuar dosje fiktive dhe duke mundësuar legalizimin e dokumentit të falsifikuar.
Tutje, Prokuroria ka shpjeguar dyshimet ndaj zyrtarëve të AKK-së.
“Ndërkohë, të dyshuarit B.Sh., dhe M.B., në cilësinë e personave zyrtar ne Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre, dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë aprovuar ankesën e palës, përkatësisht të pandehurit N.K., duke obliguar komunën e Prishtinës që të regjistroj pronën në emër të tij.
Televizioni ka tentuar të marrë një qëndrim nga Agjencia Kadastrale, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.