Analisti politik, Ardian Bytyqi, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës duhet të ndjekë shembullin e ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, në ndërtimin e koalicioneve të gjera politike për rritje të votave.
Bytyqi, i ftuar në “Debat Plus” në Dukagjin, vlerëson se kreu i PDK-së, Bedri Hamza, duhet të angazhohet në zgjerimin e bashkëpunimeve politike dhe të afrojë figura që kanë kontribuar më herët në subjektin politik, përfshirë edhe të tjerë jashtë strukturave aktuale.
Duke folur për mundësinë e bashkëpunimit me Fatmir Limajn, Bytyqi thotë se PDK-ja nuk duhet të rrezikojë humbjen e një numri të konsiderueshëm votash që, sipas tij, mund të sigurohen nga Limaj.
“PDK-ja duhet të ndjek shembullin e ish-kryeministrit Thaçi atëherë kur ai ka bërë koalicion me një varg subjektesh politike vetëm që të ketë më shumë vota. Prandaj, mendoj që edhe Hamza duhet ta ndjek shembullin e Thaçit pasi t’i ketë të gjithë nën ombrellën e PDK-së duhet të flasë edhe me njerëz të tjerë të cilët kanë kontribuar për PDK-në dhe kanë sjellë vota. Por, në rast se nuk e pranojnë zotëri Limajn mendoj se është se askush nuk i beson Limajt, madje as AAK-ja, nuk i ka besu as Albin Kurti. Por, PDK-ja nuk duhet t’i humbë mbi 20 mijë vota që besohet se Limaj i zoton”, tha Bytyqi.