Alarm për hantavirusin, tre të vdekur dhe disa raste të konfirmuara

Një tjetër rast me hantavirus është konfirmuar, ndërsa numri i viktimave nga ky virus ka shkuar në tre.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se gjashtë nga tetë rastet e dyshuara kanë rezultuar pozitive, pas përhapjes së virusit në një anije turistike.

Sipas autoriteteve shëndetësore, shkalla e vdekshmërisë deri tani vlerësohet rreth 38 për qind. Të infektuarit dyshohet se janë prekur nga varianti “Andes”, një formë e hantavirusit që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.

Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka theksuar se rreziku për popullsinë globale mbetet i ulët, duke shtuar se situata epidemiologjike po monitorohet vazhdimisht dhe se vlerësimet do të përditësohen sipas zhvillimeve.

Anija turistike holandeze aktualisht ndodhet pranë Tenerife, ndërsa mbërritja e saj ka ngritur shqetësime te banorët lokalë. Autoritetet spanjolle kanë vendosur masa të rrepta sigurie për pranimin e pasagjerëve gjatë fundjavës.

Sipas planit të autoriteteve, anija nuk do të ankorohet në portin kryesor të Tenerife-s, por do të qëndrojë në det të hapur. Pasagjerët do të transferohen me traget drejt portit industrial të Granadillës, në juglindje të ishullit, larg zonave të populluara.

Pas zbarkimit, pasagjerët do të riatdhesohen në vendet e tyre, ndërsa 14 shtetas spanjollë që ndodhen në bord do të transportohen në Madrid, ku do t’i nënshtrohen karantinës.

Të fundit nga rubrika