Banka Botërore ka miratuar një pako financiare prej 1 miliard dollarësh për Egjiptin, me qëllim zbutjen e pasojave ekonomike të shkaktuara nga tensionet rajonale dhe lufta mes Izraelit, SHBA-ve dhe Iranit.
Lajmi u konfirmua nga Stephane Guimbert, drejtor i divizionit të Bankës Botërore për Egjiptin, Jemenin dhe Xhibutin, i cili bëri të ditur se paketa përbëhet nga 800 milionë dollarë financim direkt nga Banka Botërore dhe një garanci shtesë prej 200 milionë dollarësh nga Mbretëria e Bashkuar.
Sipas Bankës Botërore, fondet do të përdoren për mbështetjen e sektorit privat në krijimin e vendeve të reja të punës, ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe avancimin e tranzicionit të gjelbër të ekonomisë egjiptiane.
Guimbert theksoi se vlera e financimit u rrit nga 500 milionë në 800 milionë dollarë për shkak të pasigurive në Lindjen e Mesme dhe ndikimit ekonomik që po prodhon konflikti në Iran. Ai shtoi se kredia do të jepet me kushte më të favorshme krahasuar me tregjet komerciale, duke përfshirë normë interesi rreth 6 për qind, afat kthimi 30-vjeçar dhe periudhë grace përpara nisjes së pagesave.
Pako aktuale përbën fazën e dytë të një programi financiar me tri etapa për Egjiptin. Faza e parë ishte miratuar në qershor të vitit 2024, ndërsa faza e tretë pritet të realizohet gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas Bankës Botërore, institucione të tjera financiare ndërkombëtare, përfshirë Bankën Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë, pritet të ofrojnë mbështetje shtesë financiare paralelisht me këtë program.
