Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mungesa e një marrëveshjeje të përbashkët politike mes partive opozitare po i mundëson Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të vazhdojnë dominimin politik në vend.
Sipas Haradinajt, opozita nuk ka arritur të krijojë një kontratë të përbashkët politike dhe as të dakordohet për një kandidat unik për president, gjë që sipas tij po e dobëson mundësinë për ndryshim të pushtetit.
Ai theksoi se vetëm një bashkim i opozitës, i shoqëruar me një marrëveshje të qartë politike dhe një kandidaturë të përbashkët për president, mund të ndikojë në ndryshimin e situatës aktuale politike në Kosovë.
“Ne po jetojmë në epokën Kurti, që i vjen ai kur ka një, 40% ose mbi 40 deputetë, do ta zbaton agjendën e tij në Kosovë. Ndikimi jonë, ose ne do të mundshim me jetu jo vetëm në epokën e tij por edhe në epokën e të tjerëve, sikur të kishim një kontratë të përbashkët si opozitë. Pra, AAK dhe LDK, PDK, edhe një plan konkret, një kandidaturë konkrete”, tha ai.
Ai shtoi se mungesa e një oferte të unifikuar opozitare po i jep mundësi Kurtit të vazhdojë me politikat e tij dhe, sipas tij, të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Përderisa nuk kemi, një kontratë edhe s’kemi një ofertë, ne jetojmë në epokën Kurti, në agjendën Kurti dhe ai do ta zbaton atë që di më së miri, një lloj eksperimentimi me Kosovën e do të na dërgon në zgjedhje prapë. Pra kjo është ajo që e di edhe ajo që po ndodh. Nga përvoja ime politike e gjatë unë po e lexoj këtë”, tha ai.
Haradinaj u ndal edhe te çështja e presidentit, duke thënë se opozita mund të bëhet faktor vendimtar nëse arrin marrëveshje të përbashkët për një kandidat të vetëm. Ai theksoi se do të mbështeste çdo kandidat opozitar që gëzon konsensus, por aktualisht, sipas tij, nuk ka një proces të tillë të konsoliduar.
“Opozita mundet pra, me hy e me qenë faktor në marrjen e fatit të vendit në dorë, duke pasur një kontratë mes vete edhe një kandidaturë për president. Nëse dikush nga opozita e merr mbështetjen e opozitës, gjithsesi që do ta mbështesja, nëse do të isha i propozuar (për president) do ta shqyrtoja. Pra, nuk jam kandidat, nuk kam kushte, nuk kam kërkesë për askënd. Ne nuk bëhemi pjesë e qeverisjes ose vazhdimit të qeverisjes Kurti, se e kemi shpjeguar disa herë sa e dëmshme edhe sa humbje është për Kosovën. Po e thashë edhe një herë, përderisa VV nuk bie nën 40%, do të jetojmë në epokën Kurti, në agjendën Kurti, në eksperimentin Kurti. Mundemi me e pengu këtë, mundemi me e ndryshu vetëm nëse bëhemi bashkë opozita”, tha ai.