Komisionerja Marta Kos pritet ta zhvillojë vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë më 15 maj, raportoi Radio Evropa e Lirë, duke iu referuar burimeve joformale brenda institucioneve evropiane, përcjell Dukagjini.
Sipas raportimit, vizita ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Evropian, por një njoftim formal pritet gjatë ditëve të ardhshme.
Kjo do të jetë hera e parë që Marta Kos viziton Kosovën që nga marrja e detyrës si komisionere për Zgjerim më 1 dhjetor 2024.
Që nga fillimi i mandatit të saj, Kos ka realizuar vizita në të gjitha vendet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimi Evropian, si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe në shtetet e Partneritetit Lindor, disa prej tyre edhe më shumë se një herë.
Mungesa e një vizite në Kosovë gjatë vitit 2025 ishte arsyetuar nga zyrtarët evropianë me krizën politike dhe mungesën e institucioneve funksionale në vend gjatë muajve të fundit.
Një vizitë e komisioneres evropiane në Prishtinë ishte planifikuar më 12 mars, por u anulua pasi ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte vendosur shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars.