Objekti në të cilin zakonisht mblidhet numër i madh njerëzish, të shtunën u rezervua nga LDK, e cila po ashtu do të shënonte një bashkim politik me Vjosa Osmanin.
Shpejtë, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, nisën të hynin në sallë.
Pastaj, edhe kryetari Lumir Abdixhiku, që u shpreh optimist për rrugën para.
“Ditë e madhe për LDK-në. Të gjithë do ti bëjmë bashkë”, ka thënë Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.
Por, në fakt të gjithë s’u bënë bashkë as në sallë.
Kur delegatët u rehatuan, u vërejt mungesa e Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit.
Sidoqoftë, Abdixhiku e prezantoi planin për bashkëpunimin me Osmanin.
“Kam propozuar që LDK të garojë me presidenten Osmanin si kandidate për presidente. Njëkohësisht bartëse të listës, dhe me mua si kandidat për kryeministër’’, ka thënë Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.
Kur duartrokitjet përfunduan, radha do t’i vinte edhe votimit të këtij propozimi, procedurë të cilën nuk deshën ta kryejnë në prani të mediave.
Andaj, kur takimi përfundoi, Abdixhiku tregoi që propozimi iu miratua, me 103 vota për.
“Do jetë bartëse e Listës, dhe do të jetë vet e 20-ta, dhe do ketë ndarje proporcionale”, ka thënë Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.
Pastaj, Abdixhiku komentoi edhe për mungesat e Hotit dhe Bajramit.
“Ata janë pjesë e listës së LDK-së. Nuk mund të jesh pjesë e listës edhe kundër. Nëse je kundër, i del përballë”, ka thënë Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.
Pas miratimit në Këshill, Abdixhiku paralajmëroi edhe daljen e parë publike bashkë me Vjosa Osmanin.
“Ju presim të dielën nga ora 18:00”