Ndonëse janë të destinuar për mbeturina duket se s’po shfrytëzohen ashtu.
Kjo për shkak se për rreth këtyre kontejnerëve në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës po qëndrojnë mbeturina tjera, ato shtëpiake.
Krevate, karrige, xhama e mbetje të amvisërisë janë veç disa prej dhjetëra sosh që janë hedhur këtu.
Hiç më mirë s’është gjendja as në rrugën tjetër të “Ulpianës”.
Madje diku në një qoshe tjetër, ambienti ngjante me ndonjë tezgë pazari.
Të njëjtat mbeturina përfshirë edhe dyshekë u panë të shtunën në secilën pjesë të lagjes.
Kjo gjendje, sipas banorëve, është tash e gati dy muaj.
Nexhmi Popova, banor në “Ulpianë” thotë se po rrezikohet shëndeti i tyre.
“Ato shëndetin e rrezikojnë gjithmonë, duhet me rregullu bre atë çështje ma se qatu janë kontejnerët deri në gjysë të livadhit shkojnë ato mbetjet inerte, edhe vijnë tani i marrin dikur mas 2 javë dite a dhjetë dite”, ka thënë Nexhmi Popova, Banor i lagjes “Ulpiana”.
Por ai fajin e lë edhe tek qytetarët.
“Faji është më së pari i qytetarëve por komuna duhet me gjetë formën me menaxhu mos me lanë kështu se ato veç e shkatërrojnë natyrën e janë të rrezikshme për çdo gjë”, ka thënë Nexhmi Popova, Banor i lagjes “Ulpiana”.
Të njëjtin shqetësim e ndan edhe një tjetër prishtinas.
“Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese për të gjithë banorët e sidomos kur janë afër shportat e mbeturinave ato janë tmerr se çdo insekt çdo sen po ngjitet lartë deri në katin e shtatë”.
Mbeturina interte u hodhën edhe në lagjen “Kalabria” të kryeqytetit.
Edhe këtu, gjendja është pothuajse e njëjtë.
Për këtë situatë, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike përmes një përgjigje me shkrim thanë për Dukagjinin se përgjatë këtyre pesë muajve kanë pastruar katër herë këto lagje, dhe se kanë caktuar një lokacion për hedhjen e mbetjeve inerte.
Por fajin po e lënë tek niveli qendror të cilët pretendojnë se ka shkelje nga ana e komunës.
“Fatkeqësisht, qeveria në nivelin qendror e ka sulmuar paligjshëm këtë zgjidhje, duke na vonuar në proces dhe duke na krijuar probleme të paqena teknike, krejtësisht jashtë kompetencave të tyre. Megjithatë, ne jemi duke vazhduar me punë dhe për momentin po bëjmë planet e reja operative për ndërhyrje si dhe kordinimet e nevojshme me inspeksionin për të marrë masa ndaj kundërvajtësve, që përkundër pastrimit, caktimit të lokacionit, etj, vazhdojnë të hedhin këto mbeturina ku të munden, duke kriju deponi ilegale”- Luftar Braha, Drejtor i Shërbimeve Publike në Prishtinë
Dukagjini ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga kompania “Pastrimi”, nëse do të bëjnë largimin e këtyre mbeturinave, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.