Një vetaksident trafiku ka ndodhur pas mesnatës së sotme në fshatin Lloqan të Deçanit, ku si pasojë ka humbur jetën ngasësi i automjetit.
Sipas Policisë në Pejë, vetaksidenti ka ndodhur më 11 maj 2026, rreth orës 01:40, dhe në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor.
Dyshohet se deri te vetaksidenti ka ardhur pasi drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka rënë në një kanal në skaj të rrugës.
Si pasojë e aksidentit, një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, por aty ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.