Ardian Gjini është zgjedhur bartës i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Vendimi është marrë në mbledhjen e mbajtur të hënën nga Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e AAK-së, ku është miratuar me shumicë votash edhe lista e kandidatëve për deputetë.
Në njoftimin e AAK-së thuhet se lista e miratuar reflekton unitetin e partisë, duke kombinuar përvojën politike me prurje të reja profesionale.
“Në këtë takim, Këshilli i Përgjithshëm ka aprovuar me shumicë votash Ardian Gjinin si bartës të listës, si dhe listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo listë reflekton unitetin e Aleancës, duke gërshetuar përvojën politike me prurjet e reja profesionale, me synimin e vetëm: shërbimin ndaj qytetarëve dhe forcimin e shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
AAK ka bërë të ditur se hyn në këtë proces zgjedhor me një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik, sigurinë kombëtare dhe proceset integruese euro-atlantike.
“AAK është gati për garën zgjedhore dhe mbetet e përkushtuar që përmes listës së saj t’u ofrojë qytetarëve alternativën më të qëndrueshme për qeverisjen e vendit”, përfundon njoftimi.