Sot, më 12 maj, subjektet politike duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
KQZ-ja ka bërë të ditur se pas përfundimit të afatit për njoftimin e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimin e koalicioneve, numri i përgjithshëm i subjekteve politike do të jenë pjesë e zgjedhjeve është 27. Prej tyre, 22 janë parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Sipas njoftimit, më 10 maj është përmbyllur afati për subjektet e reja politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, për të aplikuar për certifikim në zgjedhjet e 7 qershorit.
Gjatë periudhës 2 deri më 10 maj, KQZ ka pranuar aplikime për certifikim nga tri koalicione, një nismë qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara konsiderohen automatikisht të certifikuara, ndërsa procesi i certifikimit zbatohet vetëm për subjektet e reja politike.
Pas përmbylljes së procesit të certifikimit, KQZ-ja do të organizojë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.