Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar përmes një komunikate publike pas deklarimeve të ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushtaku i cili pretendon se është ofenduar nga zyrtari i Lëvizja Vetëvendosje, Hysni Mehani.
Sipas Lushtakut, Mehani e kishte quajtur atë “Sami Serbia”, deklaratë për të cilën ai tha se ka nxitur reagime nga qytetarët.
Në reagimin e saj, OVL e UÇK-së dënoi ashpër, siç thuhet, gjuhën fyese ndaj ish-ushtarëve dhe komandantëve të luftës çlirimtare, duke theksuar se etiketimi i një gjenerali të UÇK-së si “njeri i Serbisë” është i papranueshëm dhe dëmton rëndë diskursin publik.
Sipas organizatës, askush nuk ka të drejtë që për shkak të rivaliteteve politike apo mospajtimeve personale të njollosë luftën çlirimtare dhe figurat që kontribuuan në lirinë e Kosovës.
OVL e UÇK-së gjithashtu vlerësoi se kohëve të fundit është duke u krijuar një klimë e përshkallëzuar fyerjesh dhe etiketimesh ndaj veteranëve dhe ish-komandantëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë si degradim moral dhe jo debat demokratik.
Në fund të reagimit, organizata u bëri thirrje partive politike dhe mbështetësve të tyre që të distancohen nga gjuha fyese dhe përçarëse, duke theksuar se mospajtimet politike nuk duhet të shndërrohen në sulme ndaj luftës çlirimtare dhe vlerave të saj.