Ndryshime të mëdha priten në stafin teknik të Manchester Cityt në fund të sezonit dhe kjo ka ngritur dyshime të forta rreth të ardhmes së Pep Guardiolës në klub.
Sipas raportimeve të “The Athletic”, trajneri i fitnesit Lorenzo Buenaventura, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Guardiolës prej më shumë se 15 vitesh, do të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni. Buenaventura ka qenë pjesë e stafit të Pepit që nga periudha te FC Barcelona, duke vazhduar më pas edhe te Bayern Munich dhe Manchester City.
Po ashtu, edhe trajneri i portierëve Xabi Mancisidor pritet të largohet gjatë verës pas skadimit të kontratës së tij, çka konsiderohet një tjetër ndryshim i rëndësishëm brenda strukturës së kampionëve anglezë.
Këto lëvizje kanë shtuar spekulimet se Guardiola mund të jetë duke menduar seriozisht largimin nga Manchester City këtë verë. Megjithatë, sipas raportimeve, vendimi final i trajnerit spanjoll do të merret vetëm pas përfundimit të sezonit.
Ndërkohë, drejtuesit e Cityt thuhet se tashmë kanë filluar përgatitjet për një pasues të mundshëm. Emri që pëlqehet më shumë është ai i Enzo Maresca, ish-asistent i Guardiolës dhe një trajner që njihet shumë mirë me filozofinë e klubit.
Maresca shihet si alternativa ideale në rast se Pep largohet këtë verë ose në vitin 2027, kur përfundon cikli aktual i projektit të tij te Manchester City.