Finalja e Kupës së Botës 2026 pritet të jetë një nga ngjarjet më spektakolare sportive dhe muzikore të viteve të fundit. FIFA ka bërë të ditur se në pauzën ndërmjet dy pjesëve të finales do të performojnë superylli latin Shakira, mbretëresha e muzikës pop Madonna, si dhe grupi i famshëm koreano-jugor BTS.
Sipas raportimit të “The New York Times”, finalja do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin MetLife në New Jersey të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ngjarja pritet të tërheqë shikueshmëri rekord në mbarë botën. Finalja e Kupës së Botës 2022 kishte arritur mbi 500 milionë shikues globalisht, ndërsa FIFA beson se kombinimi i futbollit me emra kaq të mëdhenj të muzikës do ta rrisë edhe më shumë audiencën.
Kjo do të jetë një ndër herët e rralla që FIFA organizon një spektakël të këtij niveli muzikor në stilin e “Super Bowl”, duke e kthyer finalen e Botërorit jo vetëm në një event sportiv, por edhe në një mega-show argëtues global.
Përzgjedhja e artistëve është konsideruar strategjike, pasi përfshin tregje të ndryshme globale – muzikën latine me Shakirën, popin ikonik me Madonnën dhe fenomenin botëror të K-pop me BTS.
