Aleanca Veriatlantike NATO ka bërë të ditur se në Serbi ka nisur stërvitja e përbashkët “NATO-Serbi 2026”, ku po marrin pjesë forca ushtarake nga Rumania, Serbia dhe Turqia.
Lajmi është konfirmuar nga Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, e cila përmes një njoftimi publik tha se ushtarët e tre shteteve po zhvillojnë trajnim të përbashkët në kuadër të operacioneve urbane.
Sipas njoftimit, pjesëtarët e forcave të armatosura po ndajnë përvoja dhe ekspertizë në taktikat ushtarake, ndërsa po realizojnë aktivitete stërvitore në terren gjatë ditëve të para të ushtrimit.
“Pjesëtarë nga Forcat e Armatosura Rumune, Serbe dhe Turke po stërviten krah për krah gjatë ditëve të para të Stërvitjes NATO-Serbi 2026”, thuhet në njoftimin e NATO-s.
Aleanca ka theksuar se stërvitja synon forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit operacional ndërmjet partnerëve pjesëmarrës.